Muzika nuk ka nevojë për përkthyes

Valeria Dedaj

 

Pas dy net shfaqje të “Carmina Burana”-ës, dirigjenti Edmond Doko tregon për vështirësitë e punës së orkestrës me këtë vepër të Carl Orff-it. Megjithëse Doko, pas premierës absolute të veprës më 2008, është për së dyti drigjent, nuk e mohon se koha e shkurtër në dispozicion për përgatitje, ka qenë pothuajse një aventurë.

 

Mbajtja nën kontroll për të harmonizuar orkestrën, këngëtarin, korin dhe balerinët, si ia arrin kësaj digjenti i “Carmina Burana”-ës?

 

Sfida më e madhe për një dirigjent të veprës “Carmina Burana”  është në radhë të parë  tingëllimi e rrjedha sa më e natyrshme e ritmeve të zhdërvjellja e shumë të përziera që karakterizojnë këtë vepër, që sipas kritikës botërore, në mënyrën se si ritmikisht procedon e bënë atë të afërt me veprat e Stravinskit. Nga ana tjetër harmonizimi në çdo vepër ku pjesëmarrja e trupave është e madhe, është sfidë si për shkak se kërkohet një disiplinë e lartë artistike, ashtu dhe për vetë vështirësitë që materiali muzikor kërkon për tu sinkronizuar, fuzionuar e kërcyer njëkohësisht. Vepra është një kantatë skenike, por muzika e saj deskripton, interpreton e përshkon skena të ndryshme dramatike, erotike, lirike e më radhë, të cilat në fakt e bëjnë veprën një vepër veprimi muzikor skenik. Në këtë version dhe me balet ajo transmetohet më e plotë, e kështu vështirësitë s’janë më të njëjta si të realizosh një kantatë skenike, por si të realizosh një vepër të madhe skenike.

 

E kishit disi më lehtë me orkestrën, që ndryshe nga elementet e tjerë, është e njëjta trupë si në premierën absolute?

 

Sigurisht. Avantazh është kur vepra është repertori i orkestrës, por sidoqoftë përgatitja gjithsesi nuk ka munguar të jetë serioze dhe me rezultate  më të arrira. Kjo për shkak dhe të eksperiencës që orkestra ka fituar ndër vite, sidomos në interpretimin e veprave të tilla. Edhe unë e kam riparë e rivlerësuar me më shumë vëmendje veprën, duke u munduar që të “përfitoj” dhe nga eksperienca e orkestrës për të konkluduar së bashku në një interpretim me nivel bashkëkohor.

 

Të punosh në pak kohë, gati në dy javë, i thonë sfidë apo aventurë në Opera?

Të dyja së bashku, aventurë se është pak kohë në dispozicion dhe sfidë për vështirësitë që vepra përmban. Sidoqoftë eksperienca, niveli i kolegëve, profesionalizmi, bashkëpunimi e mirëkuptimi me ta, sfidon vështirësi të kësja natyre.

 

Si e shikoni nivelin e perceptimit të publikut të veprave si “Carmina Burana” që nuk janë në gjuhën me të cilën është mësuar publiku ynë, të operës italiane?

Mendoj se konstatimi për rastin e publikut shqiptar nuk qëndron plotësisht. Dhe kjo jo për faktin që vepra është interpretuar para disa vitesh në TOB, por se të paktën fragmente të “Carmina Burana” janë mjaft të njohura e të përdorura gjerësisht si kolona zanore në filma, dokumentare, teatro e koncerte etj.. Sigurisht në një kuptim më të gjerë konstatimi është i drejtë për faktin se në repertorin e Operës sonë ashtu sikurse dhe në botë mbizotëron opera italiane. Pastaj dhe njohja e gjuhës është faktor i rëndësishëm për të kuptuar më mirë veprat skenike. Sidoqoftë muzika është një gjuhë universale, kur ajo interpretohet bukur dhe nuk ka nevojë për asnjë përkthyes.

 

Pse kantatat vijnë më rrallë në TOB?

Kjo mendoj se është një pyetje për drejtorin artistik dhe atë të përgjithshëm, për njërin apo dhe për të dy bashkë. Unë jam dirigjent në TOB.

 

Heqja e shpërblimeve për artistët ka pasur ndikime në punën e tyre?

Dhe kjo është një pyetje që duhet t’u drejtohet artistëve. Sidoqoftë ata motivohen nga duartrokitjet e spektatoreve. Motivimet financiare në çdo rast i mirëpresin.

 

 

Shekulli Online

Nga magjepsëse në magjistricë

Salman Rushdie

Ilir Baçi

Me veprën e shkrimtarit Salman Rushdie (lexohet: Selman Rushdi), jam njohur më 1999, në vitin e tretë të studimeve të larta. Pedagogu i lëndës së letërsisë moderne angleze, Prof. Refik Kadija, na kërkoi që të gjithë studentët e klasës të zgjidhnin një vepër nga një listë jashtë programit, të cilën duhej ta lexonim në mënyrë të pavarur dhe për të cilën duhej të përgatisnim një referat të shkurtër e ta paraqisnim përpara klasës. Në listë, syri më zuri emrin e këtij shkrimtari indiano-anglez, për të cilin dija vetëm se ishte bërë objekt debati rreth vitit 1990 për një libër të titulluar “The Satanic Verses” (Vargjet satanike). Romani i përfshirë në listë, “The Moor’s Last Sigh” (Psherëtima e fundit e Arapit), ishte romani më i fundit i Rushdie-ut asokohe, i botuar në vitin 1995. Ishte “adhurim me lexim të parë”. Prej atëherë, e kam pritur me padurim botimin e librave të ndryshëm të Rushdie-ut nga viti në vit.

Për herë të parë në gjuhën shqipe vepra e tij është botuar në vitin 2004 (Psherëtima e fundit e Arapit – shqipëruar nga Sabina Dhrimo).

Romani “Magjistricat e Firences” (The Enchantress of Florence) ka dalë në qarkullim në origjinal në vitin 2008. Në muajin dhjetor të po atij viti fillova përpjekjet e para për ta sjellë këtë roman në shqip. E gjer diku nga pranvera e vitit 2011, kanë qenë dy vjet rrugëtim magjepsës, të mbushur me të papriturat, ngecjet e kënaqësitë që të falë përkthimi letrar. Gjatë përkthimit të veprës së Rushdie-ut këto janë të shumta.

Përkthimi është një proces i vështirë. Përkthimi letrar, nënkupton një nivel më të lartë vështirësie, të cilën, sigurisht, e kompenson me një liri më të madhe krijimi në gjuhën të cilës i drejtohet. Por edhe brendapërbrenda letërsisë, ka vepra që përmbajnë më pak vështirësi, probleme e sfida, e ka të tjera të cilat në vetvete janë aq të vështira, saqë për to thuhet se edhe janë jo të përkthyeshme. Në fakt, kur po i flisja një miku për përvojën e përkthimit të Rushdie-ut (ishte koha kur po përpëlitesha me shqipërimin e romanit “Furia”) i thashë se të përkthesh Rushdie-un më ngjan sikur të marrësh një pallto, e me copën e saj të bësh pantallona. Nuk është krahasimi më i goditur, sigurisht, por edhe shumë larg realitetit nuk është.

Salman Rushdie-u i përket rrymës së realizmit magjik. Në fantazinë time, romani “Psherëtima e fundit e Arapit” është i ngjashëm me “Njëqind vjet vetmi” të Marquez-it. Romani “The Ground Beneath Her Feet” (pak a shumë: “Dheu ku ajo shkel”) po kështu më ngjan me një kryevepër tjetër të Marquez-it: “Dashuri në kohërat e kolerës”. Vështirësitë në përkthimin e kësaj rryme janë të shumta, që nga ndërlikimi i subjektit, numri i madh i personazheve, e, në rastin e Rushdie-ut, te lidhjet jashtëtekstuale, të cilat ia shtojnë bukurinë tekstit, por që sigurisht duhen parë me vëmendje.

Por, vështirësia më e madhe, ka qenë zotësia, thuajse prej akrobati, me të cilën e përdor gjuhën angleze Rushdie-u. Loja e fjalëve, përdorimi i sinonimeve, “pikturimi” me të gjitha nuancat dhe dritëhijet e mundshme që të ofron fjalori i gjuhës (jo vetëm angleze, por edhe të tjera, siç është për shembull përdorimi i fjalës bul-bul në vend të fjalës nightingale – “bilbil”). Fjalia në vijim (faqe 163) është një ilustrim i shpejtë që më vjen në mendje (për t’u frymëzuar për sinonimet e ndryshme të fjalës prostitutë, madje, bleva Fjalorin Erotik të përpiluar nga Edmond Tupe):

“Dhe, sigurisht, në skenë e rikthyen edhe femrat, rospiet e papërmbajtura sllave, kuçkat melankolike polake, putanat llapaqene romane, buçet vithemëdha gjermane, mercenaret zvicerane, që ishin në shtrat po aq të zjarrta sa edhe homologët e tyre meshkuj në fushëbetejë, duke mos munguar nga skena as vajzat vendase, të cilat ua kalonin të gjithave.”

I gjithë romani është magjepsës, por në veçanti, nuk e di për ç’arsye, përkthimi i kreut 9, me të cilin mbyllet edhe Pjesa e Parë, më ka përpirë të gjithin, thuajse po aq sa edhe piktorin Dashvant, personazhin për të cilin bën fjalë kreu.

Pak fjalë edhe për përmbajtjen e romanit “Magjistrica e Firences”. Tema e këtij libri, është një temë që del shpesh në veprën e Salman Rushdie-ut: ajo e të qenit i huaj në një vend të huaj. Por, në veçanti, një pjesë e madhe e këtij libri nuk është e sajuar drejtpërdrejt nga autori. Thuhet se ky roman është libri më i studiuar i Rushdie-ut. Në fakt, kjo duket qartë edhe nga bibliografia e bollshme që jepet në fund të librit. Personalisht, ajo që më pëlqen më shumë nga ky libër, është ideja që ai jep, se njeriu, edhe në situatat kur është skllav a rob i të tjerëve, duhet të përpiqet e mund të bëhet zot i vetes. Këtë bën edhe një nga personazhet kryesore, Karakëzja, zonja Syzezë, e cila duket se jeta e hedh sa nga një princ në tjetrin si plaçkë lufte, por që është e zonja të jetë e përgatitur për gjithçka dhe të mos lejojë që jeta ta vërë në fund.

I gjithë libri vjen si një përrallë, por, pa frikë, mes rreshtave të çdo paragrafi fshihen përsiatje filozofike dhe të vërteta (të thjeshta e të ndërlikuara) të jetës, të cilat, herë vijnë si déjà vu, e herë si një zbulim i këndshëm për lexuesin. Vetë, do ta mbyllja këtë rrëfim vetjak, me këto rreshta të nxjerra nga kreu 12:

Pas kësaj, mbeti vetëm bardhësia e mjegullës dhe shushurima e detit. Toka dhe qielli filluan të ngjajnë si përralla të lashta. Ky pluskim i verbër ishte i gjithë universi. Për njëfarë kohe veproi siç e kishin urdhëruar, bënte njëqind rrema, pastaj i binte bririt, një herë, dy herë, tri herë, por nuk dëgjoi asnjëherë asgjë në përgjigje të buçimës së bririt. Bota ishte memece dhe vdekjeprurëse. Vdekja do ta zinte në befasi duke lëvizur pa zhurmë mbi ujë. Anijet osmane do t’i suleshin dhe do ta shtypnin si buburrec. Nuk i ra më bririt. E kuptoi se Admirali nuk donte t’ia dinte për fatin e tij dhe se e kishte therorizuar “tregimtarin e vogël” njësoj si detari që pështyn gëlbazën në det. Kaq qe tani, një gëlboqe që pluskonte për pak çaste mbi valë përpara se të mbytej. Provoi t’i tregonte përralla vetes, për të mos u lëshuar, por në mendje i vinin vetëm histori të frikshme, përralla e viganit që dilte nga thellësitë dhe e shkërmoqte varkën me nofullat e veta të fuqishme, apo përralla me krimbat e neveritshëm të honeve të detit, apo përralla me flakët që nxirrte nga goja dragoi i thellësive. Pastaj, pas njëfarë kohe, përrallat i mbaruan dhe ai mbeti pa asnjë mjet mbrojtës. Mbeti një qenie e vetmuar, që lëvizte qorrazi në mes të bardhësisë. Kështu katandiset njeriu po t’ia heqësh atdheun, familjen, miqtë, qytetin, vendin, botën: një qenie pa asnjë kontekst, e shkuara e të cilit është tretur, e ardhmja e të cilit është errur, një subjekt të cilit ia kanë hequr emrin, kuptimin, jetën, me përjashtim të rrahjeve të përkohshme të zemrës. “Pisk e kam punën”, i tha vetes. “Edhe buburreci në bajgën e ngrohtë ka më shumë kuptim se unë.”

 

 

Libri

Magjistricat e Firences

Salman Rushdie

Botues: Dudaj, shqipëroi Ilir I. Baçi

Roman, 376 f., 1.400 lekë

Shekulli Online

Flet kreu i ISSH: Pensionet, reforma shton 4400 përfitues

Drejtoresha e ISSH, Vjollca Braho

Intervista/ Vjollca Braho: Kosto e pagesave rritet me 670 milionë lekë. Kontroll online kontributeve për pension.

Braho: Kontroll online kontributeve e llogaritjes së pensionit.

Në skemën e pensioneve do të shtohen 4400 përfitues të rinj. Mbyllja e reformës së rritjes së moshës së daljes në pension, e nisur në vitin 2002, do t’i shtojë kostos së pagesave të pensionistëve edhe 670 milionë lekë.
Në një intervistë për gazetën, drejtoresha e ISSH-së, Vjollca Braho, shpjegon efektet që lindin nga mbyllja e reformës. Për ta qartësuar, në vitin 2002 Kuvendi miratoi ligjin që rriste çdo vit me 6 muaj moshën e daljes në pension. Reforma mbaron në fund të këtij viti dhe pritet që vetëm në vitin 2013 numri i pensionistëve, nga 12 700 përfitues të rinj që dalin në pension në vitin 2011, të shkojë në 12 700 përfitues. Nga ana tjetër, Braho sqaron për gazetën edhe reformën e re të dixhitalizimit. Shumë shpejt, kushdo mund të shikojë online kontributet që i janë derdhur për pensione dhe llogaritjen e përfitimit, pensionit që do të marrë. Aktualisht ISSH e ka ulur kohën e llogaritjes së një pensioni të ri mesatarisht në 30 ditë në të gjithë vendin, ndërkohë që dixhitalizimi pritet ta bëjë qytetarin pjesë edhe më të afërt të punës së ISSH-së. Këto janë fushat ku drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, kërkon t’i vërë theksin punës së ISSH-së, institucioni që ajo e drejton që prej mesit të janarit të këtij viti.
Gjatë javëve të fundit janë shtuar ndjeshëm denoncimet e rasteve të abuzimeve me pensionet. A mund të na shpjegoni si janë konstatuar dhe çfarë ndodh në këto raste?
Po, është e vërtetë që kohët e fundit janë konstatuar raste të pensioneve të padrejta duke përdorur dokumentacion jo të vërtetë. Instituti i Sigurimeve Shoqërore prej kohësh është në një proces informatizimi të thellë dhe pjesë e këtij procesi është edhe dixhitalizimi i të gjitha dosjeve të pensioneve që aktualisht paguhen nga ana jonë. Sistemet informatike dhe bazat e të dhënave janë të lidhura online me Regjistrin Kombëtar të Shtetasve dhe janë ndërtuar në mënyrë të tillë që nuk lejojnë regjistrimin e pensioneve me data të pasakta datëlindjeje apo dublime. Gjatë procesit të hedhjes së të dhënave (kartelizimit të pensioneve) nga ana e sistemit janë konstatuar raste me datëlindje të korrigjuara (falsifikuara), ndryshime gjeneralitetesh etj. Nga ana jonë janë zbatuar procedurat e parashikuara për këto raste, janë pezulluar pensionet, janë lajmëruar qytetarët që të paraqiten pranë zyrave tona për sqarime dhe dokumentacion shtesë që mund të kenë. Në rastet kur konstatohet që përfitimi është marrë me rrugë të padrejtë, janë llogaritur shumat e marra padrejtësisht dhe po rikuperohen gradualisht sipas përcaktimeve të ligjit. Gjithashtu, nga ana jonë, në bashkëpunim me Postën Shqiptare, do të fillojë së shpejti pagimi i pensioneve online nëpërmjet një sistemi financiar informatik. Gjatë implementimit të këtij procesi të ri pagese janë konstatuar raste të pagesave të dubluara ose të pagesave pas vdekjes së pensionistëve. Edhe për këto raste po zbatohet procedura e parashikuar në ligj dhe në marrëveshjen me agjentin pagues që është Posta Shqiptare.
Në fund të marsit përfundoi amnistia fiskale ku përfshiheshin edhe të vetëpunësuarit dhe bizneset. A mund të na thoni se cilat kanë qenë rezultatet e kësaj amnistie në shifra?
Në lidhje me rezultatet e amnistisë, përsa u përket kontributeve të sigurimeve shoqërore, mund t’ju them vetëm për rezultatet për të vetëpunësuarit në bujqësi që janë detyrim dhe kompetencë e ISSH-së, pasi të drejtën dhe detyrimin për kategoritë e tjera të kontribuesve, siç janë bizneset apo të vetëpunësuarit në qytet, e kanë organet tatimore. Përsa u përket të vetëpunësuarve në bujqësi, ka pasur një interes për pagimin e kontributeve të prapambetura të sigurimeve shoqërore, dhe kjo është reflektuar në numrin e të siguruarve për këtë periudhë. Kështu, për vitin 2011 numërohen 261 mijë kontribuues, ndërkohë që rreth 28 mijë persona janë identifikuar deri tani si përfitues të amnistisë fiskale.
ISSH ka përdorur të gjitha mjetet e komunikimit për të shkuar në çdo shtëpi fermeri, në çdo forum të komunave, edhe për faktin se ky është një shans që s’përsëritet për një përfitim të tillë.
Viti 2012 është vit i përfundimit të reformës së nisur që në vitin 2002 për rritjen e moshës për kategorinë e tretë të punonjësve, që përbëjnë dhe shumicën e të punësuarve. A do të ketë kjo një efekt në rritjen e personave që do të dalin në pension?
Reforma parametrike e ndërmarrë në vitin 2002 për rritjen graduale të moshës së daljes në pension ka parashikuar që në vitin 2012 mosha e daljes në pension pleqërie për punët e kategorisë së tretë, për burrat të jetë 65 vjeç dhe për gratë 60 vjeç. Si rezultat i rritjes graduale të moshës së daljes në pension deri në 2012-n, numri i pensionistëve ka qenë më i ulët se numri i personave që do të dalin në pension këtë vit. Kështu, në e vitin 2011, si viti i fundit i reformës, kanë përfituar pensione pleqërie 12 700 persona dhe për vitin 2012, në momentin e bërjes së reformës, kanë qenë parashikuar të marrin pension pleqërie 17 100 persona, pra që këtë vit parashikohet të trajtohen me pensione pleqërie të plotë dhe të pjesshëm rreth 4400 persona më shumë se një vit më parë, ose me një efekt vjetor financiar të parashikuar për më shumë, rreth 670 milionë lekë.
Themi pensionet e pleqërisë, pasi pensionet familjare dhe ato të invaliditetit nuk i janë nënshtruar kësaj reforme për vetë natyrën e tyre, pasi ato janë përfitime që jepen nga skema, por që janë ngjarje të rastësishme për të ndodhur e që nuk lidhen me moshën e personave, siç është i kushtëzuar pensioni i plotë apo dhe i pjesshëm i pleqërisë.
Keni deklaruar se jeni në vijim të informatizimit të plotë të sistemit. A mund të na shpjegoni se në cilat hapa ndodhet ky informatizim?
Po, jemi në vijim të procesit të informatizimit, pasi ky proces, për vetë natyrën e sigurimeve shoqërore, është proces i gjatë dhe i vështirë, pasi ka të bëjë me pensionet dhe përfitimet e tjera të reja që ne llogarisim dhe paguajmë si dhe me pensionet tashmë të llogaritura ndër vite. Informatizimi i sistemit konsiston në automatizimin e të gjithë aktivitetit si sistemi financiar, sistemi i llogaritjes së përfitimeve, sistemi i menaxhimit të kontributeve të paguara, arkiva dixhitale e historisë kontributive të çdo shtetasi, si dhe aktiviteteve administrative të ISSH-së. Jemi në fazën e implementimit të sistemit informatik financiar dhe të llogaritjes automatike të përfitimeve. Rezultante e këtyre dy sistemeve është edhe sistemi i pagesave online të pensioneve, i cili po implementohet në disa qendra paguese në Tiranë në bashkëpunim me agjentët tanë pagues. Po vazhdon puna për testimin e sistemit të menaxhimit të kontributeve si dhe ngritja e sistemit të arkivit dixhital të historisë kontributive të shqiptarëve. Nga ana jonë po punohet intensivisht në hedhjen e të dhënave si për përfituesit, ashtu edhe për kontribuesit në skemë. Ka përfunduar dixhitalizimi i regjistrave të ish-kooperativave bujqësore dhe po punohet intensivisht në dixhitalizimin e regjistrave të vjetërsisë në punë të ish-ndërmarrjeve shtetërore në tërë Shqipërinë.
Në fund të këtij procesi të dixhitalizimit qytetarët do të kenë mundësinë të kontrollojnë të gjithë historinë e tyre kontributive dhe llogaritjen online të përfitimit të tyre nga këto kontribute.

NERTILA MAHO

Panorama ONLINE

Kompjuterët e shkollave, firma serbe dhe ministria vjedhin 374 mijë USD

Kompjuter / foto arkiv

Flamur Vezaj

Inspektorët e Kontrollit të Lartë të Shtetit, pas një inspektimi të kryer në projektin e pajisjes së laboratorëve të informatikës në të gjitha shkollat e arsimit bazë nga kompania serbe, fituese e tenderit të Ministrisë së Arsimit, ka konstatuar abuzime me fondet publike, evazion fiskal dhe vonesa në zbatimin e projektit. Lajmi konfirmohet nga TCh-ja, referuar raportit të auditit të bërë nga inspektorët e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH-së) në dikasterin e arsimit të drejtuar nga z.Myqerem Tafaj. Sipas këtij raporti, kontrolli është kryer në mars të viti 2010 nga inspektorët e KLSH-së, të cilët kanë konstatuar se Ministria e Arsimit ka shpallur fituese kompanitë serbe “MpSoft Group” dhe “CT Computers”, për instalimin e laboratorëve të informatikës në të gjitha shkollat e arsimit bazë në vend. Pas shpalljes së fituesve, përfaqësuesi i ministrisë ka nënshkruar kontratat në Beograd me kompanitë që do të furnizonin shkollat me kompjuterë dhe pajisje të tjera të nevojshme për këto laboratorë. Por, ajo që është konstatuar dhe është cilësuar si shkelje e rëndë, është fakti që kompanitë serbe kanë vendosur pajisje me cilësi më të ulët kundrejt atyre që kishin parashikuar në kontratën e marrëveshjes. Nga ana tjetër, pavarësisht se kompanitë kanë sjellë pajisje me cilësi më të dobët se ato që ishin parashikuar në kontratë. Ministria e Arsimit i ka qëndruar besnike kontratës duke paguar rreth 209 mijë dollarë amerikanë më shumë se vlera reale e pajisjeve elektronike të sjella nga kompanitë. Për këtë arsye, sipas KLSH-së, shtetit i është shkaktuar një dëm financiar që kap shifrën e qindra milionëve lekë. Ndërkohë, zyra e financës së Ministrisë së Arsimit ka paguar edhe në doganën e Tiranës një shumë prej 4.3 milion lekë detyrime, për pajisjet e parashikuara në kontratë. Ndërkaq, në Shqipëri kanë hyrë pajisje të markës dhe cilësisë më të ulët se ato që ishin parashikuar në kontratë, duke zhdoganuar kështu një mall që nuk ka hyrë asnjëherë në Shqipëri. “Nga faturat dhe nga kolaudimi rezulton se malli i porositur është i tjetër cilësie dhe marke dhe nga një tjetër vend. Por, veç cilësisë së ulët rezulton se nga 665 kabinetet informatike, që duhet të dorëzoheshin realisht, janë dorëzuar vetëm 619 kabinete, pra 46 më pak, si dhe ka mangësi në materialet e tjera kompjuterike, si kufje, mikrofon, karta kompjuteri edhe në laboratorët e përfunduara”, – thuhet në raportin përfundimtar të KLSH-së. Kjo e fundit, ka konkluduar gjithashtu se për shkak të mos realizimit të projektit në kohë nga dy kompanitë serbe, Ministria e Arsimit duhet ta kishte penalizuar me një vlerë rreth 373 mijë e 854 dollarë. Përveç kësaj, inspektorët e KLSH-së kanë konstatuar gjithashtu se kompanitë serbe, pa përfunduar projektin e pajisjes së laboratorëve të informatikës në të gjitha shkollat e arsimit bazë ka tërhequr fondin e garancisë nga banka, që ka një vlerë rreth 374 mijë dollarë, e barabartë me vlerën e dëmit të shkaktuar në mos respektim të kontratës.

 

 

Kompjuterë kinezë në vend të markës origjinale

 

Në janar të vitit 2009, autoritetet doganore italiane në Taranto, patën bllokuar një anije me flamurin panamez që transportonte për në Shqipëri pajisje kompjuterike, të cilat do të pajisnin laboratorët e informatikës në të gjitha shkollat e arsimit bazë në vend. Këto pajisje, sipas publikimit të asaj kohe, kapnin vlerën e 3.8 milion dollarë amerikanë dhe që autoritetet doganore italiane kishin konstatuar se markat e pajisjeve ishin të falsifikuara. Ajo anije, kishte destinacion portin e Vlorës, ndërsa kompjuterët dyshohen se ishin pjesë e kontingjentit prej 7 mijë copë që do të shpërndaheshin nga qeveria në shkollat publike në të gjithë vendin. Në një njoftim zyrtar, autoritetet italiane, kanë sqaruar në atë kohë se sasia e kompjuterëve dhe aksesorëve shoqërues ishin prodhime pirate kineze.

Shekulli Online

Promovimi politik i abetares

Fadil Lepaja

Si në çdo abetare edhe ne po e fillojmë me shkronjën A. Pra, Atifetja, pastaj Bamiri. Pas tyre Edi, Hashimi, Isa, Sala e kështu me radhë… Kështu prita të jetë edhe renditja e folësve në promovimin e abetares së parë kombëtare. E donte pra rendi, pasi u përfol mungesa e ideologjisë në abetare, të jenë prezentë të gjithë pa marrë parasysh dallimet politike. Shumë mendojnë se nuk ka asnjë dallim ideologjik në teatrin tonë politik (anti) kombëtar. Të gjithë janë të njëjtë; me vështrimin e ngulur te xhepat tonë si piratë politikë që përpiqen të qasen në llogaritë tona bankare. Por të kthehemi te abetarja, alfabeti dhe oratorët tanë që në Prizren po nxirrnin zjarr të kuq e tym të zi nga goja. Atifetja, sipas një protokolli, kishte pritur të fliste e para, por ajo nuk kishte merita për abetaren. Asaj nuk i njihet asnjë meritë përpos zarfit dhe Kodit Penal të cilin e bëri prapakthehu. Pastaj abetarja nuk fillonte me të. Fillon me A, por Sali Berisha nuk e priti dot radhën. Sipas alfabetit e protokollit pas Atifetes duhej të fliste Bamiri, presidenti i vendit fqinjë. Por as kjo nuk ndodhi pasi sipas Salës dhe Hashimit vëllezërit i kemi në Turqi. Bamiri duhej të fliste si presidenti i vendit fqinj sepse ne rrethohemi me shqiptarë. Por Sali Berisha ua hodhi edhe këtë herë. Ai quhet Berisha Sali. Pra fillon me B. Kështu foli i pari me pasion sikur përpiqej të shpërlante tërë zdralin korruptiv që para pak ditësh ia kishte hedhur fytyrës një gazetar hulumtues nga Kosova duke e akuzuar për projektin e interkonjeksionit të bllokuar nga burokracia e tenderëve. Pas tij foli Hashimi i cili me shkathtësinë e tij për të qëndruar në pushtet, po e mahnitë edhe vetveten. Jo se të tjerët po bëjnë përpjekje serioze ta rrëzojnë nga pushteti, por ai po luhatet vet. Ai mbahet sepse po e mbajnë për fundshpine burokratët ndërkombëtarë të cilët duan të kryejnë përmes tij ca punë këndejpari dhe të shpërlajnë disa para. Këtë “disa” kuptojeni kushtimisht. Mund të jetë fjala për qindra milionë. Tanët gjithsesi llogarisin me lekë,e të tjerët me dollarë. Por në këtë promovim kombëtarë nuk ishin askush tjetër nga skena politike dhe kombëtare. Kjo ra në sy, por nuk u tha se përse. Nuk i kanë thirrur apo nuk kanë ardhur? Nuk ishte opozita politike apo shkencore. Kjo pasi lufta kombëtare zhvillohet edhe në fushë të shkencës. Heronjtë dhe mitet kacafyten mes vetes në kokat tona. Abetarja sot fillon me S dhe u mbyll me H. Ky tandem pelivanësh që na drejton të ndarë, i hipën dikur eskavatorit në Kalimash duke bashkuar duart si në një pikturë të realizmit socialist duke na nxjerrë mallin për kohët e shkuara.

 

Shekulli Online

‘Dialogu me Ramën domosdoshmëri për integrimin’

Meta dhe Rama gjatë një takimi

KORCË- Domosdoshmëri për t’i shërbyer interesave të vendit e ka quajtur kreu i LSI-së, Ilir Meta dialogun me kreun e PS-së, Edi Rama.

Deklarata e Metës është bërë në qytetin e Korcës, ku ai ndodhej për forumin e gruas.

Meta e ka vlerësuar rëndësinë e dialogut me liderin e socialistëve, duke theksuar se ai bëhet për t’i shërbyer interesave të integrimit të vendit në familjen evropiane, si axhenda themelore dhe me e rëndësishme e politikës.

Ai ka komentuar edhe procesin e zgjedhjes se presidentit te ri te vendit, i cili sipas Metes duhet te jete fryt i nje konsensusi dhe te dale nga dialogu mes forave politike. Sipas tij, eshte e rendesishme qe presidenti te zgjidhet qe ne raundin e pare.

Meta ka thene prere se LSI njihet tashme si nje force politike qe i qendorn marreveshjeve, duke shtuar se thelbi i saj eshte integrimi i vendit.

Panorama ONLINE

“Me 7 mijë euro bëra porno-filmin e parë shqip, xhirime edhe në Unazën e Tiranës

Dallëndyshja e industrisë së seksit në Shqipëri, mbërriti!

Emanuela Sako

Dukej sikur asnjëherë vendi ynë nuk do të kishte lidhje me kinematografinë pornografike. Por tashmë tabutë janë thyer plotësisht. Shqiptarët së shpejti do të kenë në kinema filmin e parë pornografik, tërësisht shqiptar. Gjithçka flet shqip; aktorët, ambientet, veshjet etj. Realizimi është bërë nga 25-vjeçari, Erion Murizi

 

Kush është Erioni?

Erioni punon aktor dhe stripman nëpër lokalet e natës. I riu nga Tirana, pasionin për jetën e natës dhe striptizën, së fundi i shkriu në një film pornografik shqiptar. Ai rrëfen në këtë intervistë për rubrikën “Jetë” të gjitha detajet e kësaj inisiative që me siguri do jenë të shumtë ata që do ta konsiderojnë skandaloze.

 

Po vajzat-aktore?

Vajzat pjesëmarrëse në film nuk e vrasin mendjen për paragjykimet. Ndoshta sepse janë nga ato që i kanë shkëputur pothuajse fare marrëdhëniet me familjet. Ato aktualisht janë në Itali, ku edhe punojnë prej vitesh.

“Vajzat? Nuk e çajnë kokën fare për paragjykimet e opinionit.Madje nuk e patën aspak problem edhe çështjen e prindërve, motrave apo vëllezërve dhe jo më opinionin rreth e rrotull. Gjithçka u realizua me dëshirën e të gjitha palëve”,- shprehet Erioni.

 

Filmi është gati

Është një film pornografik tërësisht shqiptar. Me djem dhe vajza shqiptare, dhe ambientet e përzgjedhura janë shqiptare. Promovimi i filmit do të bëhet në fillim të muajit qershor në kinema. Aktualisht janë duke u përgatitur ftesat që do t’iu shpërndahen njerëzve të politikës, artit, medias, biznesit etj. Më pas, filmi mund të ndiqet në kinema edhe nga qytetarë të tjerë, që duan të shuajnë kureshtjen.

 

 

“Mami më nxori nga shtëpia, sa e mori vesh”

 

Erion Murizi tregon se familja e tij është llahtarisur kur mori vesh për filmin pornografik. Por, ai shprehet se u qetësuan kur mësuan se ai të paktën nuk ishte aktor në film. Ai rrëfen se familja e tij është e përbërë nga prindërit dhe motra 20-vjeçare. Dy femrat e familjes e pritën shumë keq realizimin e tij, ndërsa babai nuk e vrau mendjen.

“Mamaja e mori vesh nga interneti, ku kishin qarkulluar thashethemet e para për filmin tim. Shoqet e punës i thanë se kishin dëgjuar që unë kisha bërë një film pornografik shqiptar. Më mori në telefon; ‘Çfarë ke bërë këtë herë? Nuk të pranoj më në shtëpi’. Ndërsa motra nuk më foli një javë rresht”,- shprehet Erioni.

 

 

FILMI

 

Filmi është i ndarë në 3 pjesë, në të cilat marrin pjesë tre çifte. Është i gjatë 75 minuta, nga të cilat 60 minuta janë skena hot, ndërsa pjesa tjetër janë momentet e njohjes së çifteve.

Çifti i parë njihet nga liqeni, duke bërë vrap. Çifti i dytë njihet në urban, ku djali ngacmon vajzën. Ndërsa çifti i tretë njihet në rrugë, pasi djali është bohem dhe vajza një modele e njohur dhe mjaft e pasur.

 

 

 

Erioni: Xhirimet në Golem, te Liqeni i Tiranës dhe në urbanin e Unazës

 

Audicioni? Ziheshin për të ardhur. Kostot? 7 mijë euro dhe ndihmë nga personazhet e jetës së natës në Tiranë

 

 

E pyetëm Erionin si i lindi ideja dhe si arriti ta realizojë atë. Më poshtë, intervista:

 

Erion, si të lindi ideja për të bërë një film pornografik?

Ideja ishte spontane. Pas përllogaritjeve që bëra në mendjen time nxora fillimisht një status në FB: Kush dëshiron të bëhet pjesë e një filmi porno, të kontaktojë në numrin e telefonit…”,- shkruhej në status. E vendosa statusin një javë rresht, por nuk pati asnjë reagim, – rrëfen Erioni.

 

Po më pas, ç’ndodhi?

Mendova ta lë fare këtë ide, sepse mendova se nuk kishte interes njeri. Më pas, shoku im i ngushtë, Joni, më tha që ta vazhdoja. “E di që do bësh diçka të mirë”,- më tha Joni. Shkova në Itali dhe hyra në kontakt me vajza që frekuentonin jetën e natës. Gjeta vajzat shqiptare që më pëlqenin dhe u tregova idenë time për realizimin e filmit.

 

Pranuan lehtë?

Pranuan pa hezitim, madje njëra më tha që mezi po prisnin të kishin një rast të tillë. Vendosëm kontaktet me vajzat dhe u kthyem në Shqipëri për të zbatuar të gjitha ato që kishim në mendje.

 

Po djemtë, si i gjetët?

Për djemtë nuk ishte e vështirë fare. Ata nuk e kishin problem dhe kishim shumë kërkesa. Të gjithë u zgjodhën nëpërmjet një audicioni të hapur.

 

Kishte shumë kërkesa në audicion?

Plot…Nuk mund ta besoni. Shumica e merrnin vesh nga njëri-tjetri dhe vinin paraqiteshin në audicion. Pavarësisht dëshirës ne ishim të detyruar të bënim përzgjedhje, sepse jo të gjithë i plotësonin kriteret.

 

Çfarë kriteresh?

Kriteri është që të jenë vajza tërheqëse, me një fytyrë të tërheqëse dhe trup të bukur. Duhet të jenë të gjata mbi 1.75 centimetra, të kenë trup të përsosur, gjoksin nuk duhet ta kenë më tepër se 3-shi, sepse ngjajnë skandaloze.

Ato ishin OK, më pas një studio u ofrua për stafin teknik, dmth kameramanët, teknikët e zërit, të ndriçimit, fotografët, gjithçka.

 

Ku janë xhiruar skenat e këtij filmi?

Janë përzgjedhur 3 ambiente. Një ambient është në një vilë 3-katëshe në Golem të Durrësit. Kemi bërë xhirime edhe nga Liqeni Artificial i Tiranës, si dhe në një urban të linjës së Porcelanit. Njëkohësisht është përdorur si element edhe rruga.

 

Ka pasur qytetarë të rastit në film….?

Ne e morëm nga kompania përkatëse të drejtën për të përdorur urbanin. Ndërsa protagonistët si udhëtarë, janë gjithashtu aktorë. Aktorët luajnë rolin e përcaktuar, ndërkohë që urbani udhëton. Zgjodha urbanin, sepse ka shumë djem që iu ngjiten vajzave në urbane. E dimë të gjithë këtë. Subjektin e doja nga jeta reale.

 

Kur janë bërë xhirimet, gjatës ditës apo natës?

Ditën janë bërë xhirime të tilla si në parkun e liqenit, kur është momenti i njohjes së njëri prej çifteve. Po kështu, janë bërë xhirime në rrugë, kur është njohur çifti tjetër. Xhirimi tjetër është bërë gjatë ditës, në urban, ku njihet çifti i tretë. Ndërsa gjatë natës janë bërë xhirimet e skenave të nxehta, në vilë, në ambient të mbyllur.

 

Sa aktorë marrin pjesë në film?

Në film marrin pjesë tre vajza dhe tre djem. Vajzat janë të moshës 25 vjeç dhe 27 vjeç. Dy prej vajzave janë kushërira, vajza xhaxhai.

 

Sa kushtoi ky film Erion, është sekret të thuhet?

Për realizimin e tij shfrytëzova gjithë njohjet e mia të jetës së natës dhe më kushtoi diçka më pak se sa duhet të ishte realisht. Çdo gjë është bërë nëpërmjet uljeve të çmimit nga të njohurit e mi, të cilët ma dhanë mundësinë, meqë ishte filmi i parë i këtij lloji. Për filmin shpenzova 7 mijë euro. Tashmë është shitur në një nga platformat dixhitale dhe pritet të transmetohet, pasi të bëhet promovimi.

 

Prisni sukses?

Pres të kem sukses të madh.

 

 

 

RRËFIMI:

 

“Të huajt në Tiranë organizojnë shumë mbrëmje private striptizi”

 

Erioni ka 6 vjet që punon si stripman. “Në vitin 2006 kam emigruar në Gjermani. U nisa si emigrant, pasi doja vetëm të punoja që të nxirrja të ardhura. Bëra punë të ndryshme por më pas fillova punë në lokalet e natës, sepse rashë në sy me fizikun tim. Më parë, në moshën 17-vjeçare kam konkurruar për bodybuiling dhe kam fituar 3 vjet rresht vendin e parë për të rinjtë” – tregon për veten Erioni.

Në fundjavë është përherë i zënë sepse merret me organizime festash, dasmash, festa beqarie, ditëlindje. Çfarë bën aty? “Më kërkojnë të bëj striptizë, bashkë me grupin tim të kolegëve. Shkoj kudo ku më kërkojnë. Kam arritur tani të krijoj një grup striptize, me të cilët ndajmë punën. Ka mjaft kërkesa, sidomos nga të huajt që vijnë në Shqipëri, të cilët organizojnë mbrëmje private” – rrëfen ai pa ndroje.

 

 

Shekulli Online

Tërmeti në Itali, 6 viktima, mbi 50 të plagosur

ITALI- Një tërmet 5.9 balle i shkallës Rihter ka goditur Italinë veriore afër Bolonjës. Sipas mediave italiane raportohen se paku 6 viktima dhe me shume se 50 te tjere te lenduar.

Banoret e zones jane perfshire nga paniku, nderkohe qe njoftohet per deme jo te pakta ne ndertesa, si pasoje e lekundjeve te forta.

Në fund të janarit, një tërmet prej 5.4 shkallë të Rihterit ka goditur po ashtu Italinë, kohe kur shume ndërtesa në Milano u evakuuan.

Panorama ONLINE

Çelen regjistrimet për studimet universitare në Itali

Ceremoni diplomimi

Publikohen udhëzimet për regjistrimet në universitetet italiane për studentët shqiptarë për vitin akademik 2012-2013

 

Studentët që dëshirojnë të regjistrohen pranë Universiteteve italiane në vitin akademik 2012/2013 duhet që:
1) në fazën e parë, të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm për procedurën e para-regjistrimit (dokumentet do të dorëzohen personalisht nga të interesuarit pranë Ambasadës Italiane, duke caktuar takim nga data 4 deri në datën 20 qershor 2012) për të sjellë dokumentacionin duhet fiksuar një takim me anë të programit “Prenoto online” të faqes internet të kësaj Ambasade;
2) më pas, nga data 1 deri në datën 31 korrik, do të dërgohet përmes postës Albanian Courier, Dëftesa e Pjekurisë (ose Diploma universitare në rastin e regjistrimit në +2) dhe dokumentacioni i nevojshëm për vizën për studim/universitet.
Ambasada Italiane do t’u lëshojë vizën studentëve sapo të ketë përfunduar vlerësimi i dokumentacionit dhe do t’i dorëzojë të interesuarve (gjithmonë përmes Albanian  Courier) pasaportën dhe dokumentet e legalizuara.

 

FAZA E PARË: PARAQITJA E KËRKESËS PËR PARA-REGJISTIRMIN

 

Studentët që dëshirojnë të fillojnë procedurën e para-regjistrimit, duhet të caktojnë një takim pranë Ambasadës Italiane përmes shërbimit Prenoto Online, të kësaj faqeje internet, duke zgjedhur shërbimin “Regjistrimet Universitare”. Takimi mund të caktohet edhe përmes call center-it, në numrat 0900 404 3000 (nga telefonat fiks) dhe 0900 404 4000 (nga telefonat celularë). Takimet mund të caktohen nga data 4 deri në datën 20 qershor 2011.

 

Studentët duhet të paraqiten në datën e takimit me dokumentacionin e mëposhtëm:

 

  1. formulari i regjistrimit (modello A) tërësisht i plotësuar por i pa firmosur, në origjinal dhe 2 fotokopje.

Tërhiqet vëmendja e studentëve mbi faktin se në kërkesë duhet të shënohet qartësisht vetëm një degë universitare, që nuk do të mund të ndryshohet më pas.

Lista e të gjithë degëve mund të konsultohet në adresën http://www.studiare-in-italia.it/studentistranieri/ .

 

  1. formulari i autentikimit të fotografisë, tërësisht i plotësuar  por i pa firmosur, në origjinal dhe 2 fotokopje.

 

  1. Dëftesa e Pjekurisë dhe Certifikata e Maturës Shtetërore, në origjinal dhe 2 fotokopje. Studentët që nuk zotërojnë më Dëftesën origjinale do të dorëzojnë një Vërtetim me rezultatet e të gjithë viteve. Studentët që kanë marrë Dëftesën e Pjekurisë para vitit 2011 duhet të sjellin edhe certifikatën e Maturës Shtetërore (ose, nëse do ta marrin në verën e 2012-ës, një kopje të formularit të regjistrimit në provime).

Studentët  e regjistruar në vitin e fundit, që do të marrin Dëftesën në verën e 2012, do të paraqesin një Vërtetim Notash, me notat e tre viteve të para dhe të semestrit të parë të vitit të fundit. Dëftesa përfundimtare do të dorëzohet në Ambasadë përpara lëshimit të vizës.

 

Studentët që dëshirojnë të regjistrohen në kurset e ciklit të dytë (Laurea Magistrale) duhet të dorëzojnë Diplomën universitare, listën e provimeve dhe programin e detajuar për çdo provim. Studentët e regjistruar në vit të fundit të sistemit trevjeçar, që do te marrin Diplomën brenda verës së vitit 2012, duhet të dorëzojnë një Vërtetim me provimet e dhëna. Diploma përfundimtare do të dorëzohet në Ambasadë përpara lëshimit të vizës.

 

VINI RE: dokumentet e lëshuara nga institucionet shqiptare duhet të jenë të legalizuara.

Dokumentet e shkollës së mesme duhet të vulosen pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Më pas, dokumentet duhet të apostilohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të përkthehen në gjuhën italiane nga njëri prej përkthyesve të betuar.           

 

Ndërsa dokumentet universitare duhet të vulosen pranë Rektoratit, të apostilohen nga Ministria së Punëve të Jashtme dhe më pas të përkthehen në gjuhën italiane nga njëri prej përkthyesve të betuar.

 

  1. Fotokopje e  Certifikatës së gjuhës italiane të nivelit B2 të lëshuar nga Universiteti për të Huajt të Perugia-s (CELI), nga Universiteti për të Huajt të Sienës (CILS) dhe Universiteti Roma 3 .

 

  1. Fotokopje e pasaportës.

 

  1. 2 fotografi për dokument

 

Dokumentacioni duhet të dorëzohet në zarf, ku duhet të shënohen:

    • Emri dhe mbiemri i studentit
    • Universiteti, Fakulteti, Dega e studimit
    • Numri i telefonit (celular dhe telefon fiks)
    • Adresa e postës elektronike (e-mail)

KUJDES: studentët që nuk kanë mbushur moshën madhore duhet të jenë të shoqëruar nga të dy prindërit ditën e paraqitjes së dokumentacionit. STUDENTËT DUHET TË PLOTËSOJNË TË DHËNAT PERSONALE MBI ZARF DHE FORMULARËT ME SHKRONJA KAPITALE DHE ME GRAFI TË LEXUESHME

 

FAZA E DYTË: DËRGIMI I DOKUMENTACIONIT PËR KËRKESËN E VIZËS

 

Nga data 1 deri në datën 31 korrik, studentët që kanë bërë kërkesën për para-regjistrim, duhet t’i dorëzojnë Ambasadës Italiane, përmes Albanian Courier, Dëftesën e Pjekurisë ose Diplomën universitare të apostiluar (nëse nuk janë dorëzuar në fazën e parë) si dhe dokumentacionin e nevojshëm për lëshimin e vizës. Në fazën e dytë nuk do të jetë e nevojshme që studentët të paraqiten personalisht në Ambasadë: të interesuarit do të dorëzojnë në zarf dokumentacionin e nevojshëm përmes zyrës më të afërt të Albanian Courier.

Dokumentet që duhet të dorëzohen janë:

1)      Nëse nuk është dorëzuar gjatë para-regjistrimit Dëftesën e Pjekurisë apo Diplomën Universitare te apostiluar në Ministrinë e Jashtme dhe të përkthyer nga një përkthyes i betuar.

2)      Formulari për kërkesën e vizës, tërësisht i plotësuar dhe firmosur, me një fotografi të bashkëngjitur.

3)      Deklaratë mbi të dhënat personale, të plotësuar me datë e firmë;

4)      Pasaportë e vlefshme mbi tre muaj pas skadencës së vizës së kërkuar; kopje e faqes së  pasaportës me të dhënat personale;

5)      Deklaratë për vendbanimin në Itali:

- në rast qëndrimi pranë një personi privat:

deklaratë strehimi për periudhën 24.08.2012-31.01.2013, fotokopje e dokumentit të identitetit me firmë (p.sh. nëse është shtetas i huaj: lejen e qëndrimit (permesso di soggiorno) ose faturat e rinovimit; nëse është shtetas i BE-së, pasaportën ose kartën e identitetit);

- në rast qëndrimi pranë enteve apo institucioneve fetare:

deklaratë strehimi nga institucioni dhe një fotokopje e dokumentit të identitetit me firmë të ftuesit:

- në rast qëndrimi në hotel: prenotim hoteli për qëndrim jo më të shkurtër se një muaj.

6)      Sigurim shëndetësor për udhëtim i vlefshëm nga data 24.08.2012 deri më 31.01.2013, (në dy kopje):

7)      Faturë bankare: deklaratë origjinale nga një bankë italiane në Shqipëri që të vërtetojë  derdhjen e pakthyeshme në favor të vetë studentit, me vlerë 4.500 euro. Banka duhet të deklarojë transferimin e kësaj depozite në filialet e saj në Itali. Shuma e depozituar mund të zhbllokohet vetëm nëse Ambasada Italiane deklaron se: të interesuarit i është refuzuar viza për studim/universitet; i interesuari ka hequr dorë nga kërkesa për vizë.

 

Nëse studentët plotësojnë kërkesat e parashikuara nga normativa, Ambasada Italiane do të lëshojë vizën për studim/universitet.

Sipas dispozitave të reja ministrore, ndryshe nga vitet e kaluara, Universitetet nuk do t’i konfirmojnë përfaqësive diplomatike pranimin e studentëve; vizat për studime universitare do të lëshohen pa këtë konfirmim (për tu informuar mbi pranimin, studentët duhet t’i drejtohen direkt universiteteve)

Pasaportat do t’u kthehen të interesuarve përmes korrierit postar Albanian Courier, bashkë me dokumentacionin origjinal që studentët duhet të paraqesin pranë Universitetit ne Itali. Për ridorëzimin e dokumenteve, studentët duhet t’i paguajnë korrierit një tarifë prej 198 lekësh nëse banojnë në Tiranë dhe 300 lekësh (përfshirë TVSH) nëse banojnë në qytete të tjera.

Procesi i ridorëzimit të pasaportës dhe dokumentacionit të legalizuar do të kryhet brenda muajit gusht 2012 dhe vizat për studim/universitet do të jenë të vlefshme nga data 24 gusht deri më datën 31 janar 2012.

 

KUJDES: Këto informacione janë të vlefshme vetëm për juridiksionin e Zyrës Konsullore të Ambasadës Italiane në Tiranë, pra për banorët e qyteteve të mëposhtme: Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan, Gramsh, Librazhd, Bulqizë, Mat, Krujë, Kurbin, Pogradec, Korçë, Devoll dhe Kolonjë.

Studentët që nuk janë me vendbanim në këto rrethe duhet t’i drejtohen Konsullatës së Përgjithshme Italiane në Vlorë ose Konsullatës Italiane në Shkodër.

 

Ku mund të mësoni më tepër

 

Teksti i plotë i udhëzimeve (2011-2014) dhe lista e të gjithë degëve mund të konsultohen në adresën http://www.studiare-in-italia.it/studentistranieri.

 

Shekulli Online

Borxh edhe për rritje pagash?

Olti Rrumbullaku

 

Muajt e parë të këtij viti treguan se qeverisja aktuale po kërkon pa drojë të marrë borxh ku të ketë mundësi, por njëkohësisht përgjigjet që po merr janë mjaftueshmërisht negative. Në tre muajt e parë të vitit qeverisja e shtoi borxhin publik me rreth 115 milionë dollarë, rreth 85 milionë dollarë më shumë se plani. E gjithë kjo vetëm në 3 muajt e parë të vitit. Angazhimet e qeverisë në investime dhe shpenzime të tjera që do kërkojnë fonde të tjera nga qeveria vazhdojnë dhe borxhi i vërtetë publik duket që me gjasë kalon në një vlerë të madhe dhe shifrën e diskutueshme prej 60%.

Kjo nuk e frenon qeverinë të kërkojë më tej borxhe, më së pari jashtë vendit. Nëse përpara 18 muajsh “Eurobondi” paraqitej si një sukses i pallogaritshëm, tashmë qeveria po përpiqet të fshehë dështimin e këtij elementi të borxhit dhe faktin që çmimi i tij në treg ka shkuar nga 7.5% në 11.5% a më shumë dhe që tregon qartazi që qeveria shqiptare nuk mund të paraqitet në atë treg për të kërkuar borxh të ri, duke parë që çmimi i Eurobondit ekzistues shitet vetëm më një interes tejet të lartë prej 11.5%. Një interes më të lartë ka vetëm Eurobondi i Greqisë dhe ndonjë shteti tjetër që mund të jenë në prag të falimentimit. Ne nuk shihemi si një shtet i besueshëm përderisa kërkojmë borxh dhe nuk mund të marrim. Edhe tentativa më e fundit e ministrit Bode për të marrë borxh tek Banka Botërore shkoi dëm dhe nuk solli borxh të ri. Tregu i brendshëm tregon shenja të ngjashme. Bankat shqiptare të orientuara nga bankat mëmë në vendet e origjinës, po pakësojnë ekspozimin në borxhin publik në Shqipëri. Pavarësisht se BSH ul normën e interesit bazë në 4.25%, qeveria po merr borxh me një normë që po shkon 7.5% dhe pritet të rritet më shumë në muajt në vazhdim. Bankat private duan të pakësojnë borxhin ndaj qeverisë, ndërsa qeveria synon të kundërtën. Në këtë situatë normat e interesit në ekonomi do vazhdojnë të rriten dhe kredimarrja do të jetë më e shtrenjtë pavarësisht se politika monetare e BSH synon të kundërtën. Qeveria ka politikën e vet fiskale, ose të ashtuquajturën politikë parazgjedhore fiskale, ku synimi kryesor është që të gjenden para në çdo lloj forme dhe të drejtohen drejt shpenzimeve publike.

Në këtë kuadër vjen dhe premtimi i kryeministrit për një rritje modeste të pagave nga 1 në 5 për qind dhe rritja e pensioneve nga 4 deri në 5 për qind duke filluar nga mesi i korrikut. Shpresat e punonjësve të sektorit publik në Shqipëri për paga më të larta mbeten sërish të venitura. Për herë të parë kryeministri shpreh që pagat e larta dhe të mesme do të rriten zero ose 1 për qind dhe vetëm pagat më të ulëta do të rriten me 5%. Qeverisja aktuale duket se do t’i drejtohet borxhit të brendshëm edhe për këtë rritje modeste pagash dhe pensionesh. Shanset që ekonomia shqiptare të shtojë konsumin dhe tatimet të administrohen më mirë në një vit parazgjedhor janë tashmë utopike. Pakkush beson tek kapaciteti fiskal i kësaj qeverisje dhe nëse bankat private në Shqipëri do të vazhdojnë të ulin borxhin që i kanë dhënë qeverisë aktuale, atëherë situatë do të bëhet edhe më dramatike. Qeveria premton një rritje modeste në korrik, por duhet parë se çdo ndodhë me borxhin publik këto muajt e ardhshëm. Nëse interesi i borxhit do të rritet me mesatarisht 1% në vit, atëherë shpenzimet e shtuara do të ishin së paku 44 milionë dollar që mund të përdoreshin për të rritje më të madhe pagash dhe pensionesh. Në fund mund të themi që qeveria po kërkon të gjejë para që të shpenzojë dhe në vazhdim do vërejmë nëse do arrijë të gjejë paratë që i duhen. Gjithsesi në një situatë të tillë, të kërkosh borxh e të përdorësh borxhin për të rritur sadopak paga dhe pensione është zgjidhja e gabuar me efekt të dyfishtë, sepse do paguhen më shumë interesa për borxhin publik duke synuar të shpenzohet përtej mundësive të qeverisë dhe duke sjellë një rritje minimale pagash dhe pensionesh.

 

Shekulli Online

Forex Brokers Big Brother Albania 6 VGA To HDMI 2Pac Quotes